thenewrebels!
Pershendetje vizitor i nderuar...
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te identifikoheni qe te merrni pjese ne
diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

- Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:
Staffi i Forumit thenewrebels
thenewrebels!

ky forum eshte per fansat e rrepit(T.B.A)


You are not connected. Please login or register

I Gjithë Globi në Luftë: 1941

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1 I Gjithë Globi në Luftë: 1941 prej Sat Apr 10, 2010 8:21 pm

admin

avatar
Admin
Ndihma e ShBA-së

Pas rënies së Francës në 1940, ShBA e pa si të domosdoshme të ndërhynte në këtë luftë që po përfshinte globin. Megjithatë në ato vite, ShBA nuk ishte në gjendje shumë të mirë dhe disa mendonin që ShBA, nuk kishte fonde të mjaftueshme për të ndihmuar në luftë. Pavarësisht nga kjo Frenklin Rusvelt (Franklin D. Roosevelt), do kërkonte nga kongresi të drejtën e “Lend-Lease act” (Ky është ai akt ku kongresi i jep të drejtë presidentit të ShBA-së të japë ndihmë ushtarake, armatime dhe fonde monetare atyre vendeve që Presidenti mendonte se po luftonin për të siguruar territoret e ShBA-së, një akt ky nga ku shumë vende si Anglia, Bashkimi Sovjetik, Kina e të tjerë do të përfitonin). Ky akt u aprovua nga kongresi më 11 mars 1941 dhe i siguroi kryesisht Britanisë dhe 37 vendeve të tjera rreth 50 bilion dollar në furnizime ushtarake dhe mjete të tjera të nevojshme për luftën. Nga ky fond, Britania dhe Komunuelthi (Commonwealth) do të përfitonin 31.4 bilion dollar.

Duke parë këtë lëvizje të ShBA-së, Kanadaja duke iu përshtatur të njëjtit plan, do të jepte një fond prej 4.7 bilion dollarësh (Dollar Amerikan), Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.
Pushtimi i Jugosllavisë, Greqisë dhe Shqipërisë

Artikulli kryesor: Shqipëria në luftën e dytë botërore

Më 6 prill 1941, forcat Gjermane, Italiane dhe Bullgare, sulmuan dhe pushtuan Jugosllavinë. Lufta do mbaronte me datë 17 prill me dorëzimin e shpejtë të Jugosllavisë si edhe me krijimin e një qeverie kukull me qendër në Kroaci. Vetëm dy grupe do të vazhdonin luftimet. Grupi komunist AVNOJ, të udhëhequr nga Tito, më vonë do të tregonte epërsi në forcë dhe influencë ndaj grupit tjetër të çetnikëve të udhëhequr nga Draža Mihailović. Gjithashtu, më 6 prill, Gjermania do të pushtonte Greqinë, duke futur trupat e saj nga Bullgaria.

Rezistenca Greke ishte e gatshme të luftonte, por pavarësisht nga kjo ata ishin shumë më të pakët në numër dhe detyrimisht humbën. Kështu me datë 27 prill, Athina do të bie edhe pse, me meritë të Britanisë së Madhe, më shumë se 50 000 trupa ushtarake greke mundën të tërhiqeshin diku tjetër, për të luftuar mbase më vonë. Shqipëria gjithashtu ra pre e pushtimit nazist. Me vendosjen e një qeverie-kukull në Shqipëri, Nazistët shprehën qartë se nuk do të ishin kalimthi aty. Lufta e shqiptarëve do të ishte një luftë partizane dhe u drejtua nga grupi komunist me në krye Enver Hoxhën.

Lufta në Ballkan, pavarësisht se nuk do të përbënte ndonjë problem për Gjermaninë, do të vononte sulmin e saj ndaj Bashkimit Sovjetik për një periudhë prej 6 javësh.
Sovjetikët nën Sulm

Që nga koha që Pakti Molotov-Ribbentrop ishte firmosur në gusht të 1939, Bashkimi sovjetik kishte pajisur Gjermaninë me armatime dhe të mira të tjera të domosdoshme për pushtimin e Evropës. Megjithatë, kur Gjermania do t’i kthehej kundra ish-aleatit së saj, Stalini do të arrinte në përfundimin që edhe Britanikët dhe Francezët kishin arritur më parë; Hitlerit nuk i zihet besë. Më 22.06.1941, operacioni më i madh në histori do të fillonte; Operacioni Barbarosa. Tre grupe ushtarake gjermane, të përbërë nga 4 milion njerëz, do të hynin në territorin rus duke shkatërruar gati të gjithë divizionet e Ushtrisë së Kuqe, në sajë të strategjisë së rrethimit. Ushtria e Kuqe që ndodhej në pjesën perëndimore të Bashkimit Sovjetik të pësonte humbje të mëdha. Përballë kësaj situate, Sovjetikët u tërhoqën për në Ural, duke marr atë që mund të merrnin dhe duke shkatërruar atë që nuk mund të merrnin. Asgjë nuk duhet të binte në dorë të armikut (një strategji kjo që është përdorur edhe kundra Napoleon Bonapartit). Në Ural, rusët do mund të rigrupoheshin dhe furnizimi i Ushtrisë së Kuqe, mund të bëhej i mundur.
Komandantët Suprem; 5 qershor 1945 në Berlin: Bernard Montgomery, Dwight D. Eisenhower, Georgi Zhukov dhe Jean de Lattre de Tassigny. Komandanti Zhukov organizoi dhe mori pjesë në shumë betja mbrojtëse dhe ofensiva të ndryshme të ushtrisë së kuqe.

Vonë në dhjetor të po atij viti, Trupat Gjermane kishin arritur në dyert e Leningradit, dyert e Moskës dhe Rostov. Arritja deri aty kishte qenë e mundimshme për Gjermanët. Ata kishin humbur 23% të ushtrisë që kishte sulmuar në fillim. Megjithatë gjermanët vazhdonin të avanconin. Dimri i fortë i Rusisë, do të bënte që ata të ndaleshin. Në këto kushte, ishte e pamundur realizimi i sulmit Blitzkrieg (sulm rrufe) sepse tanket nuk mund të manovronin thjeshtë në fushat e mbuluara me borë.

Gjermanët e kishin nënvlerësuar numrin e madh të ushtarëve që Ushtria e Kuqe kishte nën dispozicion. Ushtarët gjerman, nuk ishin të pajisur mirë për një mot të tillë. Mungonin mjetet e transportit dhe makineritë nuk i bënin dot ballë motit të ftohtë, duke marrë parasysh teknologjinë e atëhershme.

Trupat Gjermane filluan të demoralizohen nga luftimet e pafundme dhe ardhja e trupave të reja nga Siberia. Këto trupa ishin të shumtë dhe drejtoheshin nga Gjenerali Zhukov, një gjeneral ky me përvojë nga Lufta e Parë Botërore. Gjithashtu, këta ushtarë Sovjetik, ishin mësuar me ato kushte të ashpra.

Gjermania kishte avancuar shumë përpara, por kësaj radhe Sovjetikët do të “kthenin përgjigje”. Më 5 dhjetor, Sovjetikët kundërsulmuan dhe i detyruan trupat gjermane të ktheheshin mbrapa për kilometra të tëra (mendohet 150-250 kilometra). Kjo kishte qenë thyerja e parë e gjermanëve në luftë.

Më 25 qershor 1941, lufta e vazhdueshme e sovjetikëve me Finlandën, bëri që sovjetikët të ndërmerrnin një fushatë të gjerë bombardimesh ajrore kundra kësaj të fundit. Këto bombardime, filluan pak mbrapa fillimit të Operacionit Barbarosa.
Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme

Në Afrikën Veriore, Romueli (Rommel), i cilësuar si dhelpra e shkretëtirës, fitoi terren në territoret lindore, duke arritur më në fund në një pikë kyçe për aleatët, Tobruk. Sulmet të shumta u lëshuan ndaj portit Tobruk duke e zënë atë. Dy sulme të aleatëve, dështuan kundra Romuelit, por më vonë ofensiva në fund të vitit e mbiquajtur edhe si Operation Crusader (përshtatje në shqip do ishte Operacioni Luftëtarët e Shenjtë edhe pse theksohet se kjo luftë nuk pati asnjë karakter fetare), do të detyronte trupat e Romuelit të tërhiqeshin pas luftimesh të ashpra.

Në prill dhe maj të vitit 1941, rebelime të shumta do të fillonin në Irak kundra Britanisë së Madhe, edhe pse britanikët morën sërish në dorë situatën. Në muajin e 6-të, aleatët u detyruan të bënin një farë pushtimi në Siri dhe Liban. Në ditën e 17 të po atij muaji, Damska gjithashtu do të binte në dorë të Aleatëve. Vonë në gusht Britanikët dhe Ushtria e Kuqe do të vendoseshin në Iran, që ishte neutral në luftë. Vendosja në Irak do të bëhej me qëllim për marrjen dhe shfrytëzimin e naftës nga Ushtria e kuqe për fushatën kundra Gjermanisë.
Përsëri në Atlantik

Më 9 maj, Destroyer HMS Bulldog (tip anije e aleatëve ku “Destroyer” merr kuptimin e “Shkatarrues”) i Flotës Britanike do të kapte një U-Boat (tip nëndetëse gjermane) gjermane. Nga kjo nëndetëse, do të merrej e paprekur një makineri që u quajt nga Britanikët Enigma Machine. Ky mjet do të ishte me rëndësi jetësore për fitoren e aleatëve në Atlantik. Kjo makinë do dërgohej në Bletchley Park dhe do i lejonte aleatëve të thyenin dhe të kuptonin kodet e ushtrisë gjermane.
Makina Enigma

Më 24 maj, luftanija gjermane Bismark, do cenonte Flotën e Aleatëve në Oqeanin Atlantik. Luftanija Britanike Battlecruiser HMS Hood do të fundosej në betejën e Danimarkës (Battle of the Denmark Strait). Pas kësaj, flota e britanikëve, do të ndërmerrte një gjueti të përgjithshme kundra luftanijes Bismark në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik. Kjo nismë nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë për Britanikët. Njësia ajrore bombarduese Fairey Swordfish, e nisur nga aeroplanmbajtësja HMS Ark Royal, të pajisur me bomba torpedo, do të sulmonin Bismarkun. Këto avionë nuk rezultuan shumë efektivë ndaj saj dhe dëmet ishin minimale, por kjo do t’ia bënte punën Flotës Britanike më të thjeshtë.

Bismarku më në fund u fundos. Për fundosjen e saj do u donte një gjëmim prej 2 700 kilometrash dhe angazhimi i 8 luftanijeve dhe 8 anije Kruizer, 2 aeroplanmbajtëse, 11 Kruizerave, 21 Destroyer (Shkatërrues) dhe 6 nëndetëseve.
ShBA dhe Japonia në Luftë

Në verën e 1941, ShBA, Britania e Madhe dhe Holanda vendosën embargo ndaj Japonisë. Kjo embargo kishte në qendër ndërprerjen e naftës, në mënyrë që Ushtria Japoneze të humbte superioritetin e saj në luftë. Japonia nuk u tërhoq nga lufta, madje vazhdoi të avanconte në territoret Kineze. Japonia do të planifikonte një sulm ndaj Flotës së ShBA-së në Pearl Harbor (Porti i Perlave). Ajo gjithashtu u përpoq të shtinte në dorë, zonat e pasura me naftë në dorë të kompanive holandeze (Dutch East Indies në Indonezi). Më 7 dhjetor 1941, flota japoneze e pajisur me anije aeroplanmbajtëse, do të sulmonte në mënyrë të papritur dhe të rrufeshme Portin Pearl Harbor, në Hawai. Ky sulm i pabesë, rezultoi i suksesshëm. Shumë avionë që qëndronin të qetë në bazë, do të shkatërroheshin dhe flota gjithashtu do të goditej rëndë. Gjashtë Luftanije do të përmbyteshin, por mendohet se këto të fundit, pas riparimeve të nevojshme, do të fillonin përsëri funksionimin e tyre. Megjithatë, katër Aeroplan-Mbajtëset që ishin planifikuar për t’u shkatërruar, për fatin e mirë të Aleatëve, nuk ndodheshin në port gjatë sulmit. Të gjitha ndërtesat dhe infrastrukturat e dëmtuara në Pearl Harbor do të riparoheshin shumë shpejt.

Ky sulm nuk u tolerua nga opinioni publik që kërkoi ndëshkim ndaj Japonisë. Një ditë më vonë, ShBA, më 8 dhjetor të po atij viti, deklaron luftë ndaj Japonisë. Në të njëjtën kohë, Kina gjithashtu do të shpallte zyrtarisht luftë ndaj Japonisë. Kjo e fundit do të pushtonte Malajzinë.

Ndërkohë edhe Britania do të përjetonte një tragjedi. Përmbytja e luftanijes HMS Prince of Wales dhe HMS Repulse në 10 dhjetor, do të shkaktonte shumë humbje për Britanikët. Këto anije ishin përmbytur nga 85 bombardues japonezë si edhe nga torpedo të lëshuara nga baza Saigon. Në këtë humbje të madhe ku 840 ushtarë britanikë do të humbnin jetën, Winston Çërçill do të shprehej se ky ishte lajmi më tronditës që ai kishte marrë që nga fillimi i luftës.

Gjermania ndërkohë, i shpall luftë ShBA-së edhe pse në të vërtetë nuk ishte i detyruar që ta bënte një gjë të tillë. Hitleri shpresonte që Japonia do të sulmonte Bashkimin Sovjetik, ndërkohë që Japonia dhe Bashkimi Sovjetik kishin lidhur një marrëveshje mossulmimi ndaj njëra tjetrës. Deklarata e Gjermanisë, e bindi edhe një herë ShBA-në, që nuk kishte asnjë arsye që mos përfshihej në luftimet në Evropë.

24 orë pas sulmit në Pearl Harbor, Japonia pushton Hong Kongun. Filipinet dhe kolonitë e Britanisë së Madhe në Malajzi, Borneo dhe Burma do të pësonin të njëjtin fat. Megjithatë Japonia në të vërtetë po synonte marrjen e tokave të pasura me naftë të kompanisë Holandeze “Dutch East Indies”. Japonia do të ndeshej në rezistencën e Filipineve, Australisë, Zelandës së Re, Britanikëve, Kanadezëve, Indianëve si edhe të Amerikanëve. Pavarësisht nga kjo rezistencë, të gjithë këto territore do të binin në duart e Japonezëve brenda disa muajsh. Ishulli i Britanikëve në Singapor, që mbahej si një fortesë e vërtetë, ra në duart e japonezëve. Rënia e kësaj fortese, u cilësua edhe një herë nga Çërçilli si një nga humbjet më të turpshme të historisë së Britanisë.
Luftë në Çekosllovaki dhe Francë

Në maj të 1942, projektuesi i projektit Zgjidhja Përfundimtare, Reinhard Heydrich (që ishte plani për zhdukjen e të gjithë hebrenjve), do të vritej nga agjentë të rezistencës Çeke gjatë operacionit Antropoid. Kur Hitleri mori vesh një gjë të tillë, urdhëroi sulmin e territoreve ku ndodheshin partizanët, duke shkaktuar reprezalje të shumta kundra popullsisë civile. Më 19 gusht, 1942, Forcat Kanadeze lëshuan kundra trupave naziste, një sulm të shpejt në portin e Dieppe të Francës, që u njoh me emrin Operacioni Xhubileu (Operation Jubilee). Aleatët pësuan disfatë në këtë betejë, por kjo disfatë do të siguronte më vonë informacion që do të shërbente në operacione të tjera, si Operacioni Torç (Operation Torch) dhe Operacioni Ovërlord (Operation Overlord)
Ofensiva e Sovjetikëve

Në veri, Sovjetikët do të sulmonin nën operacionin e koduar Toropets-Kholm, në 9 janar deri në 6 shkurt të 1942. Ky aksion bëri të mundur, që divizionet gjermane të ngushtoheshin në afërsi të territorit të Andreapolit. Gjithashtu, Ushtria e Kuqe do të rrethonte një divizion të ushtrisë gjermane në “Xhepin e Demjansk-ut” (Rrethimi i Garnizonit gjerman u pagëzua me këtë emër). Kjo do t’i jepte avantazh Ushtrisë së Kuqe, duke prishur moralin e trupave gjermane.
Forcat e Boshtit në Sulm

Në muajin e gjashtë të 1942, me datë 28, do të fillonte ofensiva e Aleatëve e koduar Operacioni Blu. Ky plan përfshinte vendosjen e trupave të Aleatëve, nga lumi Don deri në lumin Volga, drejt maleve Kaukaziane. Grupi Ushtarak B, ndërkohë po bënte plan, shtënien në dorë të Stalingradit; një veprim ky që do mund të forconte frontin Gjerman. Ndërsa Grupi Ushtarak A, planifikoi marrjen e fushave të pasura me naftë në jug. Në Betejën e Kaukazit, Trupat e Boshtit Nazist do të kapnin nga fundi i verës dhe vjeshtë së 1942-it, fushat e pasura me naftë.
Beteja e Stalingradit

Artikulli kryesor Beteja e Stalingradit

Pamje e ushtarëve sovjetikë gjatë betejës së Stalingradit

Më 23 gusht, 1942, Gjermanët arritën Vollgën, në veri të Stalingradit. Gjermanët pa humbur kohë, do të bombardonin qytetin duke shkatërruar shtëpitë prej druri. Shkatërrimi i këtyre të fundit u bë me qëllim që të dëmtoheshin uzinat moderne të sovjetikëve. Më 23 shtator, Ushtria Gjermane kishte marrë në dorë këto fabrika dhe rrezja e veprimit të Ushtrisë Gjermane, ishte aq i gjerë sa që kishte nën kontroll të gjithë lumin. Sovjetikët do të sillnin përforcime dhe tashmë do të fillonte ajo që në histori u njoh si Beteja e Stalingradit. Në rrugët e Stalingradit, do të zhvilloheshin beteja të ashpra guerirlase. Duke qenë se të dy palët luftonin brenda në qytet, mendohet se luftimet trup më trup nuk kanë munguar.

Lufta e egër, bëri që morali i trupave të të dyja palëve të binte. Edhe pse Gjermania po dëmtohej shumë nga kjo betejë, Hitleri nuk do të urdhëronte kurrë dorëheqjen. Von Paulus, i ndodhur në një gjendje të mjerueshme, do provonte edhe një herë një sulm kundra Sovjetikëve në fillimet e nëntorit. Tashmë Ushtria Gjermane kishte në dorë rreth 88% të qytetit, por me sa dukej, rezistenca e Ushtrisë së Kuqe, nuk do të binte bashkë me qytetin e shkatërruar. Ndërkohë që Ushtria Gjermane, futej akoma më thellë në qytet, Sovjetikët kishin forcuar krahët në rrethinat e Stalingradit. Në këtë mënyrë, Sovjetikët patën mundësi të rrethonin deri diku Ushtrinë Gjermane. Operacioni Uranus, në 19 nëntor, pati si bazë sulmimin e forcave gjermane nga të dyja krahët. Ky operacion korri sukses. Trupat Sovjetike do të takoheshin në Kalaç dhe 4 ditë më vonë, Divizioni i Gjashtë i Ushtrisë Gjermane, do të rrethohej i tëri. Kjo për ta ishte një grackë nga ku nuk do të ishte shumë e lehtë të dilnin.

Divizioni i Gjashtë, kërkoi leje për të dalë nga rrethimi, por Hitleri nuk i lejoi, duke i premtuar se ata do të furnizoheshin nga qelli me ushqime, deri sa të shpëtoheshin. Megjithatë Sovjetikët nuk do të bënin sehir ndërkohë që Hitleri të sillte ndihmat. Në atë kohë, Sovjetikët do të lëshonin një sulm kundra forcave të ndodhura në afërsi të Moskës. Ky sulm i quajtur Operacioni Mars, kishte si synim ndërprerjen e kontakteve ndërmjet divizionit qendror me atë të divizionit në jug të Stalingradit.

Me të shpejtë, Von Manstein do të formonte një batalion modest me ushtarë gjermanë, me qëllim për të shkuar në ndihmë ushtrisë që kishte ngecur në Stalingrad. Por ai do të afrohej vetëm 50 kilometra me ushtrinë e mbetur në brendësi të Stalingradit. Trupat Sovjetike, nuk do ta lejonin atë të ecte përpara qoftë edhe një metër me shumë. Në fund të vitit 1942, Divizioni i Gjashtë, ishte katandisur si mos më keq, pasi Luftwaffe (Forcat Ajrore Gjermane), nuk sillte as 1 të 6 e furnizimeve të nevojshme. Fieldmarshall Von Paulus do t’i dorëzohej Ushtrisë së Kuqe më 2.2.1943 duke mos parë rrugë tjetër shpëtimi. Nga ky vendim, 91 000 ushtarë Gjerman dhe 22 gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo do të ishte lufta më e madhe në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu edhe në humbje njerëzore. Mendohet se Gjermanët humbën rreth 850 000 ushtarë. Ndërsa gjithsej 2 milion njerëz do të vdisnin në këtë betejë (por kjo është e diskutueshme).
Betejat e Aleatëve në Paqësor

Më 19 shkurt 1942, Presidenti i ShBA-së Rusvelt (Roosevelt) do të firmoste Urdhrin Ekzekutiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës 9066, duke shpallur luftë ndaj Boshtit Japoni-Gjermani-Itali. Me fillimin e luftës, shumë persona japonez, italian dhe gjerman, që në të vërtetë ishin persona me shtetësi Amerikane, do të internoheshin nëpër kampe. Në këto kampe do të dërgoheshin edhe persona nga Hawai. Por këto kampe ishin brenda standardeve të jetesës dhe nuk pati keqtrajtime ndaj personave që qëndruan aty gjatë luftës.
Trupat Australiane ne Gjirin Milne, Guineja e Re

Më 18 prill të 1942-it, bombardimi i parë ajrorë do të godiste Japoninë në zemër të saj. Ky operacion i quajtur Doolittle Raid, pavarësisht se do shkaktonte dëme të pakta ndaj Japonisë, do të bënte që kjo e fundit të rikonsideronte tërheqjen e disa njësive ushtarake në mbrojtjen e Japonisë. Ky sulm gjithashtu do të ngrehte lartë moralin e trupave Amerikane.

Në fillimet e majit, Trupat Ushtarake Japoneze, do të sulmonin Portin Moresby, Guinea e Re. Por kjo për ta nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë sepse Flota e Aleatve do të kundërsulmonte në atë që njihet si Beteja në Detin Koral (Battle of the Coral Sea). Kjo ishte kundërpërgjigjja e parë e armatosur e Aleatëve kundra forcave japoneze. Taktikisht Japonezët do të fitonin, sepse ShBA do të humbiste anijen aeroplan-mbajtëse USS Lexington në këtë betejë. Por pavarësisht nga kjo humbje, beteja u konsiderua si sukses nga Aleatët. Kjo ishte beteja e parë që organizohej midis dy anijeve aeroplan-mbajtëse. Vetëm një muaj më vonë, më 5, Beteja e Midway do të fillonte. Në këtë betejë, bombarduesit nën ujorë do të sulmonin me sukses Flotën Japoneze, duke fundosur katër nga anijet aeroplan-mbajtëse më të rëndësishme të Flotës Japoneze. Kjo betejë ishte një sukses sepse tashmë Japonia nuk do zgjeronte më fuqinë e saj në Paqësor. Historianët e vlerësuan këtë betejë, si një kthesë të luftës nga ana e Aleatëve, edhe pse më vonë do të kishte shumë për të luftuar. Për t’u theksuar është se kjo betejë u fitua me anë të Kriptografisë. Pra Ushtria e ShBA-së, arriti të zbërthente kodet e Flotës Japoneze dhe rrjedhimisht e dinte se ku ata do të do të sulmonin.

Në korrik, forca të shumta dhe të mirë-armatosura japoneze, do të sulmonin nga toka Portin e Moresby. Kundra këtyre forcave të stërvitura mirë në luftë, qëndronin vetëm trupat e papërgatitura Australiane. Këta të fundit, nuk kishin shumë armatime në dispozicion dhe nuk kishin shumë eksperiencë. Ajo që ka më shumë rëndësi është se këto trupa do të ishin edhe më të pakta në numër si edhe më keq të armatosur. Por kjo nuk i ndaloi Ushtarët Australian të luftonin dhe të fitonin betejën kundra 5 000 forcave të mirë-armatosura Japoneze. Australianët i detyruan këto trupa (në të vërtetë ishin dy njësi ushtarake japoneze ato që sulmuan forcat australiane) të tërhiqeshin mbrapsht. Kjo betejë, do të ishte mposhtja e parë e Japonezëve në teren si edhe fitorja e parë e rëndësishme e Forcave Ushtarake Australiane. Edhe pse Beteja për Kokodën, do të ishte shumë e kushtueshme në njerëz, aq sa trupat do të demoralizoheshin. Oficerët e AIF do të udhëhiqnin trupat Australiane, duke detyruar Japonezët të tërhiqeshin sa më larg, duke shpresuar kështu që brigada e 21-të, të forcohej dhe të riorganizohej.

Më 7 gusht të po atij viti, Flota e ShBA-së do të kalonte në ofensivë në Betejën e Guadalcanal. Luftimet zgjatën gjashtë muaj rresht, ku si japonezët, si Amerikanët, luftuan ashpër për të marrë nën kontroll ishullin. Ndërkohë, beteja të tjera detare në territoret në afërsi, do të angazhonin flotën aleate në luftime. Për t’u përmendur janë Beteja e SavoIsland (Beteja e Ishullit Savo), Beteja e Cape Esperance, Lufta Detare e Guadal Kanal dhe Beteja e Tassafaronga.

Vonë në gusht dhe në fillimet e shtatorit, trupat japoneze tinzarisht do të kryenin një sulm në pjesën e lindore të Guineja së Re. Ky sulm nuk do të ishte një surprizë për aleatët. Trupat Australiane do të ishin aty për të kundërshtuar forcat japoneze. Kjo do të ishte Beteja e Milne Bay (Beteja e Gjirit të Milne).
Ofensiva Japoneze në 1942

Japonezët do të fillonin një ofensivë madhore kundra Kinës, pak mbrapa sulmit të saj në Pearl Harbor. Ofensiva synonte të merrte qytetin e Çangsha, që ishte një pikë kyçe për Japonezët. Forcat Japoneze ishte përpjekur edhe më parë për të marrë Çangashan, por në të dy sulmet kishin dështuar. Në një sulm të tillë, japonezët menduan se 120 000 ushtarë do të ishin të mjaftueshëm, por Forcat Kineze do të mobilizonin 300 000 trupa. Të gjendur në një ekuilibër të tillë, shumë shpejt trupat Japoneze do të rrethoheshin dhe si rrjedhojë do të detyroheshin të tërhiqeshin.

Shiko profilin e anëtarit http://thenewrebels.darkbb.com

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi